top of page

Aksident i rëndë në Katund i Ri, përplasen dy automjete, plagosen dy persona



Një aksident i rëndë automobilistik është regjistruar rreth mesnatës së kaluar, në aksin rrugor që lidh Elbasanin me rrethrrotullimin e Bradasheshit, në afërsi të fshatit Katund i Ri.


Sipas të dhënave paraprake, një automjet luksoz, duke lëvizur me shpejtësi mbi normat e lejuara, ka humbur kontrollin gjatë një tentative parakalimi dhe është përplasur fort me një mjet të tonazhit të rëndë që po lëvizte para tij.


Përplasja ka qenë aq e fuqishme saqë automjeti i vogël ka pësuar dëmtime të rënda, duke u shkatërruar thuajse plotësisht. Nga forca e impaktit, gomat e para të mjetit janë shkëputur dhe janë shpërndarë disa metra larg vendit të ngjarjes.


Nga aksidenti, dy persona kanë mbetur të plagosur dhe janë dërguar menjëherë drejt Spitalit Rajonal të Elbasanit për ndihmë mjekësore.


Policia dhe grupi hetimor kanë kryer ekspertizën në vendin e aksidentit për të sqaruar plotësisht rrethanat dhe shkaqet e ngjarjes. Hetimet paraprake tregojnë se shpejtësia e lartë dhe manovrat e rrezikshme mund të jenë arsyeja kryesore e kësaj përplasjeje.

bottom of page