top of page

BKH “zbarkon” në Elbasan, hetim për lidhjet me Suel Çelën



Një operacion i befasishëm është zhvilluar në qytetin e Elbasanit nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), të cilët kanë ushtruar kontrolle në ambientet e një biznesi të njohur që operon në sektorin e ndërtimit. Objektivi i hetimit janë lidhjet e dyshuara të këtij subjekti me grupin kriminal të Suel Çelës, një emër i përfolur shpesh për përfshirje në aktivitete të paligjshme dhe ndikim të dyshuar në institucionet vendore.



Kontrollet janë pjesë e një hetimi të gjerë që përfshin disa bashki të qarkut Elbasan, ku dyshohet se janë dhënë tenderë publikë në mënyrë të parregullt ndaj kompanive të lidhura me individë me precedentë penalë. Në zyrat e subjektit të ndërtimit janë sekuestruar pajisje kompjuterike, aparate celularë si dhe telefonët e punonjësve, për të gjurmuar komunikime dhe të dhëna që mund të provojnë përfitime të jashtëligjshme.


Burime pranë hetimit bëjnë me dije se kompania në fjalë ka përfituar një numër të lartë kontratash publike nga bashki të ndryshme të qarkut, çka ka ngritur dyshime serioze mbi legalitetin e procedurave të ndjekura. SPAK dhe BKH po hetojnë për shpërdorim detyre, korrupsion dhe pastrim parash, ndërsa nuk përjashtohet mundësia e ndalimeve në ditët në vijim.


Ky operacion vjen në një kohë kur skandalet me tenderë publikë janë kthyer në një plagë të përhershme për administratën vendore, duke ngritur pikëpyetje të mëdha mbi integritetin e qeverisjes në nivel lokal.

bottom of page