top of page

Gjendja e Michael Schumacher mbetet e rëndë, nuk komunikon dhe kërkon kujdes të përhershëm


Gjendja shëndetësore e legjendës së Formula 1, Michael Schumacher, mbetet e rëndë edhe më shumë se një dekadë pas aksidentit të tij tragjik në ski. Gazetari i njohur i RTL, Felix Gerner, ka konfirmuar për "Daily Mail" se Schumacher aktualisht nuk është në gjendje të komunikojë verbal dhe ndodhet nën kujdes të përhershëm.



Sipas Gerner, vetëm një grup i kufizuar prej 20 personash ka leje për ta vizituar, ndërkohë që familja e tij ka ndërmarrë hapa të jashtëzakonshëm për t’i ofruar trajtimin më të mirë të mundshëm. Ai vlerësoi vendimin e familjes për të mbajtur privatësinë dhe për të mbrojtur dinjitetin e Michael-it gjatë gjithë kësaj periudhe.


Ky informacion përputhet me atë që kishte deklaruar më herët Elisabetta Gregoraci, ish-bashkëshortja e Flavio Briatore, e cila tha se Michael komunikon vetëm përmes syve dhe është zhvendosur në Spanjë, ku gruaja e tij ka ngritur një spital privat brenda shtëpisë së tyre.


Pavarësisht përpjekjeve të shumta dhe trajtimeve eksperimentale, gjendja e tij nuk ka shënuar përmirësime të dukshme. Familja ka shitur disa nga pasuritë për të përballuar kostot e larta të kujdesit të përditshëm. Gjithçka mbetet nën një vello të fortë privatësie, ndërsa tifozët në mbarë botën vijojnë të luten për rikuperimin e tij.

bottom of page