Itali, aksident tragjik me traktor, humb jetën punëtori shqiptar 31-vjeçar
- ab le
- Mar 24
- 1 min read
Updated: 5 days ago
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Gessopalena të Italisë Qendrore, ku një punëtor shqiptar i bujqësisë humbi jetën si pasojë e një aksidenti tragjik me traktor.

Viktima është 31-vjeçari Gentjan Muça, i cili punonte prej kohësh në sektorin bujqësor në zonën e Chietit. Ngjarja e rëndë ndodhi në momentin kur traktori me të cilin Gentjani po punonte doli nga rruga për arsye ende të panjohura dhe përfundoi në një kanal, duke u përmbysur dhe duke e zënë poshtë.
Menjëherë pas ngjarjes, në vendin e aksidentit mbërritën forcat e urgjencës, madje nga qyteti i Pescarës u dërgua edhe një helikopter mjekësor për të tentuar shpëtimin e jetës së Gentjanit. Pavarësisht përpjekjeve të mëdha, i riu nuk mundi t'u mbijetojë plagëve të marra dhe humbi jetën në vendngjarje.
Vdekja tragjike e Gentjan Muçës ka shkaktuar dhimbje të madhe në komunitetin vendas në Gessopalena, ku ai njihej si një person i sjellshëm, punëtor dhe i respektuar nga të gjithë.
Kryebashkiaku i Gessopalena-s, Mario Zulli, i prekur thellësisht nga kjo tragjedi, ka shprehur ngushëllimet e tij për familjen dhe miqtë e Gentjanit:
“Dhimbja e kësaj dite tragjike është shumë e madhe dhe nuk mund të përshkruhet me fjalë. I shprehim solidaritetin dhe ngushëllimet tona të sinqerta familjarëve dhe të afërmve të Gentjanit. Kujtimi i tij do të mbetet gjithmonë në zemrat tona. Zoti e prehtë në paqe!”
Trupi i pajetë i Gentjan Muçës do të përcillet për në Shqipëri, ku familja e tij ka vendosur të kryejë ceremoninë mortore. Ndërkohë autoritetet italiane vazhdojnë hetimet për të zbardhur plotësisht shkaqet e këtij aksidenti tragjik.