Qori shpërthen kundër politikës: "Mjaft me taksa për të pasurit, ne zgjedhim demokracinë!"
- ab le
- Apr 3
- 1 min read
Updated: Apr 10

Në një reagim të fortë në prag të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025, Arlind Qori, drejtuesi i “Lëvizjes Bashkë”, ka publikuar një pjesë të platformës së forcës që ai përfaqëson, duke denoncuar mënyrën si partitë e tjera po trajtojnë ekonominë dhe sistemin tatimor në vend.
“Partitë në garë janë futur në një garë premtimesh për uljen e taksave, por vetëm për oligarkët. Është një lojë e vjetër, e rrezikshme, dhe skajshmërisht e padrejtë”, u shpreh Qori në një video-mesazh. Sipas tij, “Lëvizja Bashkë” propozon një sistem të ri tatimor, që do të godasë interesat e grupeve të pasura dhe do të mbrojë ekonominë nga kapja nga bizneset e mëdha.
Ai shton se plani i kësaj force politike përfshin:
Taksim të drejtë për korporatat dhe grupet e fuqishme financiare;
Hetim të çdo lejeje ndërtimi në Tiranë dhe bregdet;
Anulimin e ligjit për investitorët strategjikë;
Rrëzimin e kullave të ndërtuara mbi shkelje ligjore;
Ndalimin e ndërtimit brenda Unazës së Madhe;
Krijimin e një agjencie të re për integritetin dhe luftën ndaj korrupsionit;
Ligj të ri për financimin e partive, për t’i dhënë fund ndikimit të parasë në politikë.
“Nuk ka vend për oligarki në një sistem që pretendon të jetë demokratik. Zgjedhja jonë është e qartë: shoqëri e ndershme dhe e drejtë për të gjithë, jo për pakicën e pasur”, përfundoi Qori.