top of page

Sarandë – Lirohet 17-vjeçari që plagosi me thikë bashkëmoshatarin, prokuroria e cilëson vetëmbrojtje


Sarandë: Lirohet 17-vjeçari që plagosi me thikë bashkëmoshatarin – Prokuroria: Ishte vetëmbrojtje

Gjykata e Sarandës ka vendosur masën e “arrestit në shtëpi” për 17-vjeçarin K. Cora, i cili akuzohet për plagosjen me thikë të një bashkëmoshatari.


Ngjarja ndodhi më 27 mars në rrugën “Butrinti”, ku u plagos rëndë B. Kalemi, 17 vjeç, i cili mori tre goditje me thikë në stomak dhe ijë. Ai u dërgua menjëherë në spitalin e Vlorës për trajtim të specializuar.



Fillimisht, Cora u arrestua dhe u shoqërua bashkë me një dëshmitar, por hetimet zbuluan se mund të ketë qenë një rast vetëmbrojtjeje. Sipas prokurorisë, Kalemi dyshohet se e kishte sulmuar i pari Corën, i cili reagoi për t’u mbrojtur.


Prokurorja Esmeranda Basho ndryshoi akuzën fillestare nga “Plagosje e rëndë” në “Plagosje e rëndë në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme”. Gjyqtarja Edona Vajushi miratoi kërkesën për arrest shtëpie, duke lejuar vetëm lëvizjet për shkollë dhe veprimtari edukative.

Hetimet vijojnë dhe mbetet për t’u parë nëse ndaj Corës do të ngrihet ndonjë akuzë shtesë, pasi edhe ai ka shenja goditjeje në trup. Ai përfaqësohet nga avokati Çlirim Shahini.

bottom of page