top of page

Trafikuan pistoleta me vlerë 10 mijë euro për shitje në Tiranë, arrestohen dy shtetas nga Kosova



Policia shqiptare ka goditur një rast të trafikimit të armëve të zjarrit nga Kosova drejt Shqipërisë, si rezultat i operacionit të koduar “Suspend”. Dy shtetas kosovarë, Altin Pajaziti, 23 vjeç, dhe Kadri Prushi, 53 vjeç, u arrestuan në autostradën Lezhë–Fushë Krujë.


Gjatë kontrollit të automjetit me të cilin udhëtonin, u sekuestruan dy pistoleta dhe municion luftarak. Dyshohet se këto armë ishin trafikuar me qëllim shitjen në Tiranë për një vlerë totale rreth 10 mijë euro.



Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në bashkëpunim me Forcën Operacionale të DVP Tiranë, pas hetimeve disamujore të zhvilluara në bashkëpunim me Prokurorinë.


Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht aktivitetin kriminal dhe për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në rrjetin e trafikimit të armëve. Materialet iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

bottom of page