top of page

Zbulohet e shkuara kriminale e të rrëmbyerit në Lezhë – Në 2017 i vuri gjobë 25 mijë € një biznesmeni, kërcënoi jetën e djalit të tij



Dodë Gjoka, personi i rrëmbyer sot në autostradën Lezhë-Tiranë dhe më pas i liruar, rezulton me precedentë të rëndë penalë dhe nuk është i panjohur për drejtësinë shqiptare.



Në vitin 2017, Gjoka u arrestua për vendosjen e një gjobe prej 25 mijë euro ndaj një biznesmeni, të cilin e kërcënoi se do t’i vriste djalin nëse nuk paguante shumën e kërkuar.

Ai u ndalua në një operacion të koordinuar nga policia, së bashku me bashkëpunëtorin e tij, shtetasin L. Ç. nga Shkodra, në momentin kur po merrnin paratë në fshatin Malecaj të Lezhës.

Gjatë ndërhyrjes, policia sekuestroi 25 mijë euro, dylbi, celularë dhe automjetin e përdorur nga autorët.


Hetimet e mëvonshme treguan se konflikti kishte lidhje me çështje të vjetra pronësore, ndërsa dyshohej se personat e përfshirë ishin urdhëruar nga palë të treta për të rikuperuar një borxh të pretenduar.


Një nga autorët kishte pasur më parë dënim për tentativë vrasjeje, duke thelluar edhe më tej profilin kriminal të rrjetit të përfshirë. Ngjarja e sotme ngre pikëpyetje të reja mbi përplasjet në botën e errët të krimit të organizuar.

bottom of page