Festivali Ndërkombëtar “Këngë Jeho në Strugë” çel siparin me spektakël kulturor në natën e parë.
- ab le
- Jul 12
- 1 min read
Strugë, 12 Korrik 2025 – Me një atmosferë të gjallë dhe pjesëmarrje ndërkombëtare, mbrëmjen e djeshme u çel edicioni i radhës i festivalit “Këngë Jeho në Strugë”, një ngjarje tradicionale që bashkon artin, kulturën dhe folklorin nga vende të ndryshme të botës.

Në natën e parë, më 11 korrik 2025, publiku pati mundësinë të shijojë performancat e gjashtë grupeve artistike nga vende të ndryshme si Shqipëria, Bullgaria, Paraguai dhe Maqedonia e Veriut. Spektakli u hap nga SHKA “Shpresa” nga Veleshta, dhe vijoi me grupe prestigjioze si “Qendra për Kulturë – Jane Sandanski” nga Negotina, Orkestra Folklorike nga qyteti Blagoevgrad – Republika e Bullgarisë, si dhe ansamblet “Art Dance” nga Elbasani dhe “Bajram Shabani” nga Kumanova. Një emocion të veçantë i dha mbrëmjes grupi “Alma Guarani” nga Paraguai, duke sjellë në Strugë ritmet e largëta të Amerikës Latine.
Festivali “Këngë Jeho në Strugë” është një aktivitet i rëndësishëm kulturor që organizohet çdo vit në qytetin e Strugës dhe ka për qëllim ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore përmes këngës dhe vallëzimit folklorik. Aktiviteti përfshin tre net të pasura artistike me pjesëmarrës nga vende të ndryshme, duke e kthyer Strugën në një pikë takimi të kulturave botërore.
Nata e dytë e festivalit zhvillohet sot, më 12 korrik, ndërsa nata e tretë do të mbahet nesër, më 13 korrik 2025. Performancat e mbetura do të pasqyrohen në lajmet tona në ditët në vijim.