top of page

Një zë i ri për një botë të vjetër: Nxënësja e gjimnazit “Oso Kuka” prek me reflektimin e saj për Çermenikën dhe Kanunin

Updated: Apr 24


Një zë i ri për një botë të vjetër: Nxënësja e gjimnazit “Oso Kuka” prek me reflektimin e saj për Çermenikën dhe Kanunin

Në një kohë ku zëri i rinisë shpesh nuk dëgjohet në debatet për trashëgiminë dhe identitetin kombëtar, një nxënëse nga Shkodra sjell një reflektim të thellë mbi një vepër që flet për rrënjët e popullit shqiptar.

Xhesika Preçi, nxënëse në gjimnazin “Oso Kuka”, ka shkruar një ese ndjesore dhe poetike mbi librin “Drejta Zakonore në Çermenikë – Kanuni i Mustë Ballgjiinit” të autorit Shaban Gjjura. Ajo e quan këtë botë “botën e saj”, edhe pse nuk ka qenë fizikisht aty.


Ja çfarë shkruan Xhesika:


“Është bota ime, të cilën ende s’e njoh plotësisht. Një botë që nuk e kam parë me sy, që këmbët ende s’ma kanë shkelurËshtë një ëndërr e vagullt, e zbehtë si mëngjeset në  mjegull, që nis të marrë trajta reale kur njeriu kthen kokën pas, në kërkim të rrënjëve, të kujtimeve që lehtë nuk harrohen.


Aty, koha ajo ecën me ritmin e vet karakteristin, duke ruajtur amanetet e të parëve, zakonet që s’u shkruan kurrë në libra, por që u gdhendën në ndërgjegje. Në atë truall që duket i largët frymon një histori e pashkruar, që jeton si legjendë në çdo cep,, në çdo fytyrë të moçme. Ai truall mban me krenari emrin Çermenikë.


Relievi malor i saj nuk ka qenë veçse peizazh i bukur për sy, por edhe mburojë e qëndrueshme për identitetin. Gjatë gjithë periudhave historike, kjo krahinë ka ditur të ruajë jo vetëm traditat e vyera, por edhe vetveten nga përballja e drejtpërdrejtë me pushtuesit.Gjatë kohës së pushtimit Osman, Çermenika ishte ndër ato pak zona që gëzonte një shkallë të lartë autonomie. Perandoria e kishte të vështirë të depërtonte në këto male të pa gjunjëzuara  ku rendi vihej nga vetë njerëzit, sipas Kanunit të tyre, i cili ishte më i fortë se çdo urdhër sulltanor
Kanuni mund të tingëllojë sot si një sistem i rreptë, i ftohtë, i pamëshirshëm në sytë e botës moderne. Por për Çermenikën, ai ishte një udhërrëfyes drejt drejtësisë, një mënyrë për të jetuar me nder, për të mbrojtur familjen, për të ruajtur balancën mes lirisë dhe përgjegjësisë. Ai lidhej natyrshëm me zakonet e vendit, me festat, me pleqësinë, me urtësinë e brezave që dinin të jepnin zgjidhje edhe atje ku gjithçka dukej pa rrugëdalje.
Në këtë tokë, u ruajtën me fanatizëm virtytet shqiptare si fjala e dhënë, besa, nderi,, forca e familjes. Fjala kishte peshë, nuk thuhej kot, sepse çdo fjalë duhej të peshohej me ndërgjegje. Rrugët nuk të çonin në një vend pa krye e të errët, por në sofrën e mikut, ku buka ndahej edhe në kohë varfërie. Familja nuk ishte thjesht njësi shoqërore, por bërthama e shenjtë e jetës, ku çdo anëtar kishte vlerë, qoftë burrë apo grua. E nëse je grua në Çermenikë, je më shumë se thjesht një figurë pranë vatrës. Je nderi i shtëpisë, drita e saj, shtylla që mban mbi supe jo vetëm jetën, por edhe vazhdimësinë. Edhe në kohët më të errëta për vlerësimin e femrës, këtu gratë kanë pasur dinjitetin dhe rolin e tyre të pazëvendesueshem.
Udhat që përshkojnë këtë vend  janë rrugë që të çojnë drejt kujtimeve te ndryshme. Ato të çojnë në ditë gëzimi, në valle popullore, në dasma ku krushqit vinin krenarë, me fytyra që ndriçonin nga hareja.. Por ato të çojnë edhe në ditë të vështira, ku pleqtë e urtë dhe i pari i vendit uleshin në kuvend për të gjetur rrugën e arsyes.
Mos të frikësojë ashpërsia e tokës, sepse ajo s’ka depërtuar në shpirtin e popullit, përkundrazi e ka lartësuar zemrën e tij. Njerëzit janë të ashpër vetëm kur duhet, por të ngrohtë në thelb. Në sytë e tyre sheh stuhitë që kanë kaluar, por edhe dritën e dashurisë që nuk shteron.
Unë kam qenë aty… Kam parë me sytë e mi bukurinë e natyrës, buzëqeshjen e grave, fisnikërinë e burrave. Kam ecur në shtigjet ku krushqit kanë kaluar, në vendet ku kendohet në dasma, në natë me hënë e në mëngjes me vesë. Kam marrë frymë thellë me ajrin që të pastron shpirtin. Kam qenë aty… në festë, në këngë, në jetë.
Është bota ime për  të cilën  mund të them se e njoh mire. Shkoj ta vizitoj shpesh, e kam vetëm ca faqe libri larg dhe aty për mua jeton madhështore  Cermenika ime.“

Ky meditim shfaq jo vetëm emocionin e leximit, por edhe thellësinë e një lidhjeje shpirtërore me vendin, historinë dhe vlerat që sot rrezikojnë të harrohen. Reflektimi i saj është një thirrje për të mos harruar kurrë kush jemi dhe nga vijmë.


bottom of page