Radhë të gjata në doganën e Qafë Thanës, qytetarët presin me orë të tëra në kufi: Vetëm tre sportele të hapura
- ab le
- Jul 12
- 1 min read
Qafë Thanë – Trafiku i rënduar dhe organizimi i dobët kanë shkaktuar radhë të gjata automjetesh në pikën doganore të Qafë Thanës mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Në kulmin e sezonit turistik, kjo pikë hyrëse në vend po përballet me fluks të lartë udhëtarësh, por me kapacitete të kufizuara pune.
Siç shihet edhe nga pamjet e siguruara, automjetet janë detyruar të presin me orë të tëra në kufi për shkak të funksionimit të vetëm tre sporteleve për mjetet hyrëse. Në disa raste, mjetet që mbajnë targa të huaja apo të rajonit, përballen me kontroll të ngadaltë dhe vonesa të panevojshme.

Qytetarët kanë shprehur pakënaqësinë për mungesën e organizimit dhe menaxhimit të situatës, duke e quajtur të papranueshme pritjen në temperatura të larta dhe mungesën e informacionit nga autoritetet kufitare.
“Nuk është normale që në një nga pikat më të rëndësishme kufitare të vendit, në mes të korrikut, të jenë vetëm tre sportele në funksion. Pritëm mbi 2 orë për të kaluar”, thotë një udhëtar për LibrazhdiPress.com.

Kjo situatë vë në pikëpyetje edhe efektivitetin e iniciativave si Open Balkan që synojnë lëvizjen e lirë dhe të shpejtë mes vendeve të rajonit. Slogani “Green Lane” duket se mbetet vetëm në tabela, ndërkohë që realiteti në terren tregon të kundërtën.
Autoritetet doganore nuk kanë dhënë ende një reagim për këtë situatë, ndërsa pritet që në ditët në vijim fluksi i qytetarëve të jetë edhe më i madh për shkak të kthimit të emigrantëve dhe turistëve.