Tragjedi në minierën e Katjelit – Prokuroria nis ndjekje penale ndaj drejtuesve pas vdekjes së një punëtori
- ab le
- May 29
- 1 min read

Librazhd – Në vijim të ngjarjes së rëndë të ndodhur ditën e djeshme në fshatin Katjel, ku një masiv mineral rrëshqiti gjatë punës në minierën e kromit duke shkaktuar vdekjen tragjike të shtetasit S. B., 57 vjeç, autoritetet kanë intensifikuar hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përgjegjësive ligjore.

Nën drejtimin e Prokurorisë, grupi hetimor ka zhvilluar veprime hetimore të thelluara, të cilat çuan në referimin e materialeve në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan. Si rezultat, është nisur procedim penal për veprën penale "Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë" ndaj administratorit të minierës, shtetasit G. B., 56 vjeç, drejtuesit teknik H. K., 62 vjeç dhe përgjegjësit të turnit G. K., 62 vjeç.

Prokuroria po vijon me veprime të mëtejshme procedurale për të vënë përpara përgjegjësisë ligjore personat përgjegjës për këtë ngjarje të rëndë që tronditi komunitetin lokal dhe solli humbjen e jetës në vendin e punës.